Shtëpi Karakteristike

Shtëpia e Zekatëve

Shtëpia e Zekatëve është e ndërtuar në vitin 1812 dhe mendohet të jetë një prej shembujve më perfekt të stilit të banesave otomane. Kjo shtëpi është shembulli i kullave të cilat i përkisnin familjeve më te pasura dhe me pozitat më të larta. Banesa 3-katëshe gjendet në pikën më të lartë të lagjes Palorto.

Angonatet

Banesat e Angonateve janë dy banesa të përbëra nga dy shtëpi me dy oborre. Kjo banesë gjendet në pikën më të dukshme të qytetit. Kjo banesë është ndërtuar në vitin 1881 dhe është një shembull shumë kuptimplotë për të treguar zhvillimin e banesës gjirokastrite dhe aftësinë e saj për t’iu përshtatur kushteve të jetës në zhvillim.


Muzeu Etnografik

Muzeu Etnografik i njohur gjithashtu si shtëpia e Enver Hoxhës është një ndërtesë e cila ndodhet në lagjen “Palorto”. Kjo shtëpi pasqyron në mënyrën më të mirë banesat karakteristike Gjirokastrite duke filluar nga tavanet, dollapet, odat. Kjo shtëpi u ndërtua rreth vitit 1966, ku prej atij viti deri në vitin 1991 shërbeu si Muzeu i luftës Nacionalçlirimtare Gjirokastër. Pas rënies së Komunizmit u kthye në Muzeun Etnografik. Në vitin 1997 ndërtesa u dëmtua nga një zjarr dhe u rikonstruktua sërisht disa vite më vonë për të vazhduar funksionin si Muzeu Etnografik.

Shtëpia e Ismail Kadare

Shtëpia e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare hapi dyert për vizitorët në Janar të vitit 2016. Shtëpia u rindërtua pas një zjarri aksidental në vitin 1999. Restaurimi i është përmbajtur stilit që ka patur shtëpia përpara djegies. Banesa ka dy kate ku në katin e parë ndodhet qilari ndërsa në katin e dytë ndodhet pjesa e banueshme e shtëpisë.