Në kuadër të punës së vazhdueshme për mirëmbajtjen, ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës, janë kryer punime në çatinë e Konakëve të Manastirit të Cepos i cili me kohën kishte probleme me thyerjen e kalbjen e strukturës (mahive,trarëve bishtave) si dhe thyrjen dhe mungesen e materialit mbulues të cilat u zëvendësuan me të reja.
Manastiri përbëhet nga një strukturë dykatëshe, e ndërtuar me gurë të bardhë gëlqerorë dhe gurë të zinj, të lidhur me llaç gëlqereje. Në pjesën ballore, kati përdhe karakterizohet nga harqe të realizuara me gurë, ndërsa kati i dytë përbëhet nga dy ambiente dhe fasadat e tij kanë dritare në të tre faqet.
Një nga elementet karakteristike të objektit është çatia njëujëshe, e mbuluar me tjegulla të kuqe, e cila është pjesë e rëndësishme e karakterit tradicional të ndërtimit.
Në kuadër të ndërhyrjes së kryer, është punuar në çatinë dhe elementët prej druri, duke zëvendësuar pjesët e dëmtuara dhe duke sistemuar mbulesën me tjegulla, me synim përmirësimin e gjendjes fizike dhe sigurimin e mbrojtjes së objektit nga veprimi i faktorëve atmosferikë.
Në kompleksin e Manastirit, edhe muratura e kishës paraqet vlera të veçanta arkitektonike. Ajo është ndërtuar me gurë shtresorë, të vendosur në radhitje të rregullt, dhe përfundon me një kornizë të realizuar me gurë në formë dhëmbësh sharre. Harqet janë punuar me gurë të gdhendur, të cilët dalin në reliev nga sipërfaqja e muraturës.
Punimet e mirëmbajtjes synojnë të ruajnë autenticitetin, karakterin tradicional dhe vlerat arkitektonike të këtij monumenti, duke garantuar që ai të vijojë të jetë pjesë e gjallë e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës.
