Qyteti romak i Hadrianopolit është ndërtuar mbi një vendbanim të mëparshëm të periudhës së vonë klasik – fillim helenistike dhe mendohet të ketë patur funksionin e një qendre shërbimesh në territorin e luginës së Drinos. Kjo luginë rreth fundit të shek. V p.l.k. ishte e karakterizuar nga vendbanime të shpërndara por pa qendra urbane të mirëfillta, midis të cilave dallohen disa fshatra të fortifikuar.
Gjurmët më të hershme të ruajtura deri më sot i takojnë periudhës së hershme perandorake dhe përbëhen nga një tempull i vogël në fomë kuadratike dhe nga një strukturë rrethore mbi të cilën më pas u ndërtua teatri. Hadrianopoli njohu zhvillimin dhe lulëzimin e tij më të madh gjatë sundimit të perandorit Adrian. I organizuar sipas një sistemi të ri urbanistik, qyteti u zhvillua në një zonë drejtkëndore me rrugë që kryqëzoheshin në kënd të drejtë dhe ishte i pajisur me ndërtesa publike të rëndësishme, ndër të cilat ishin teatri dhe banjat. Teatri del mbi një terren të mbushur artificialisht, ka një shkallare me diametër prej 58 metrash dhe është i ndërtuar me gurë të vegjël dhe llaç (opus caementicium) . Përgjatë shekullit të IV pas Krishtit u restaurua dhe u riorganizua për të zhvilluar të ashtuquajturat venationes (gjah i kafshëve të egra) ndoshta edhe luftime gladiatorësh.
Struktura e banjave termale , e dukshme edhe sot, është ajo që në shekullin e III pas Krishtit zëvendësoi, duke zvogëluar përmasat, kompleksin e mëparshëm të periudhës së Adrianit.