Antigonea është ndërtuar rreth shekullit të III p.e.s. Rrënojat e këtij qyteti gjenden 14km larg qytetit të Gjirokastrës. Antigonea ishte një qytet që u ndërtua nga dashuria dhe u shkatërrua nga urrejtja. Ky qytet lidhet me Pirron E Epirit i cili pasi u rrëzua nga froni iku ne Egjipt ku u përzgjodh nga mbretëresha për tu martuar me Antigonen. Për mirënjohje ndaj gruas së tij Pirro ndërtoi qytetin të cilit i vendosi emrin e gruas. Ky vend u kthye në një qendër shumë të rëndësishme për shkak të luginës së Drinosit. Qyteti në formë delfini shtrihet në një varg kodrash midis dy kreshtave që lidhen me njëra-tjetrën me një shteg të ngushtë. Sipërfaqja urbane e qytetit brenda dhe jashtë fortifikimit llogaritet të ketë qenë rreth 60 ha.
Qyteti ishte i rrethuar nga mure solide rreth 4,000 m gjatësi, që mbronin qytetin nga të gjitha anët, veçanërisht në pjesën jugore dhe perëndimore ku rreziku ishte më i madh për shkak të terrenit. Muret fortifikuese dhe ato të shumicës së shtëpive të zbuluara
deri tani janë bërë me blloqe të madhësive të mesme e të mëdha
guri gëlqeror, të marra nga gurorja e malit të Lunxhërisë. Disa objekte të vogla rurale jashtë mureve rrethues, dhe veglat bujqesore
të zbuluara gjatë gërmimeve si gurët e mullirit dhe enët qeramike për përpunimin e produkteve bujqësore tregojnë se qyteti
ishte një territor bujqësor i zhvilluar mirë, diçka për të cilën rajoni është edhe sot i famshëm. Fitorja e ushtrisë Romane kundrejt Maqedonasve i dënoi ashpër Epiriotët të cilët luftuan krah Maqedonisë. Ekzistenca e mëtejshme e qytetit dëshmohet
vetëm nga rrënojat e një kishe të vogël, në dyshemenë e së cilës gjendet një mozaik i Shën Kristoforit dhe një emblemë greke që dëshmon ekzistencën e qytetit në periudhën paleo–kristiane. Kjo kishë ishte godina e fundit e ndërtuar në Antigonenë e lashtë. Ajo u shkatërrua gjatë sulmeve sllave në shekullin VI pas Krishtit.