Historiku i DRTK
Në vitin 1961 me Vendim të Këshillit të Ministrave, Gjirokastra vihet në mbrojtje shtetërore e cilësuar “Qytet Muze” për vlerat e mëdha arkitektonike. Veprimtaria për vënien e monumenteve në mbrojtje shtetërore ne Shqiperi u fuqizua pas krijimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë në vitin 1965. Në gjithë Shqipërinë si dhe në qytetin e Gjirokastrës specialist të rinj të cilët kishin mbaruar studimet e larta u angazhuan në një veprimtari të madhe per gjurmimin , dokumentimin paraprak dhe vënien në mbrojtje të monumenteve në gjithë vendin , veprimtari e cila zgjati për rreth dy dekada. Në fillimet e veta Ateljeja e monumenteve filloi ndjekjen dhe zbatimin e punimeve restauruese me nje personel teknik të vogël sipas projekteve të hartuara nga sektori shkencor I Institutit te Monumenteve të Kulturës Tiranë.
Në vitin 1971 u shpall dekreti per “Mbrojtjen e Monumenteve” kulturore dhe historike. Me kalimin e kohës , me rritjen e personelit teknik filoi veprimtaria projektuese dhe nga specialistët e Ateljese. Ne vitin 1981 me Vendim të këshillit të Ministrave Ateljeja kthehet në Degën e monumenteve e cila varej administrativisht nga IMK Tiranë, dhe ishte e ngarkuar me mbikqyrjen e monumenteve në qendrën historike dhe në disa rrethe. Në Shkurt të vitit 2003, nga “Dega e Monumenteve të Kulturës”, kaloi në “Drejtori Rajonale e Monumenteve të Kulturës” dhe në Mars të vitit 2008, kaloi në “Drejtori Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër”. Pati këtë emër deri ne vitin 2019 kur u emërua më pas Drejtoria Rajonale e Trashegimisë Kulturore Gjirokastër.